SFK 2012, një vikend aktiv “open source”

Më 8 dhe 9 shtator në Prishtinë do të mbahet Software Freedom Kosova 2012, konferencë ndërkombëtare për teknologji të bazuar në kod të hapur.

Për herë të katërt me radhë në Prishtinë do të mblidhen entuziastët e teknologjisë me kod të hapur për të dëgjuar më të rejat rreth kësaj fushe prej folësve të ndryshëm me renome, dhe të shohin edhe anën praktike në punëtori të organizuara enkas për këtë ngjarje. Konferenca do t’i ketë ligjëratat kryesore në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtines më 8 dhe 9 shtator ndërsa më 7 dhe 10 stator do të ketë punëtori të veçanta në UNICEF Innovations Lab .

Deri tani janë bërë të ditur disa emra si:

Bruce Perens:
Një nga themeluesit e lëvizjes për kod burimor të hapur. Perens është pronar i një kompanie softueri si dhe programues kompjuteri. Perens është bashkë-themelues i Open Source Initiative (OSI).

Andrew Betts:
Zhvillues në PHP dhe JavaScript si dhe themelues i Assanka, tani pjesë e Financial Times. Betts është ligjërues për tema të lidhura me HTML5 dhe PHP.

Prof.Dr.Frederik Questier:
Këshilltar akademik për projektet arsimore të TIK-ut në disa vende në zhvillim si dhe profesor në disa departamente në Vrije Universiteit, Bruksel. Prof. Questier është autor dhe redaktor i disa librave dhe artikujve në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe softuerit të lirë.

Flamur Mavraj:
Mavraj është zhvillues i aplikacioneve në ueb me PHP. Ai do të ligjëroj për Zend Framework 2.

Konferenca më e madhe rajonale financiohet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, STIKK, Ipko Foundation dhe Unicef Innovations Lab. FLOSSK që organizon konferencën është OJQ e themeluar më 2009 me qëllim të promovimit të softuerit të lirë dhe të hapur.

Leave a Reply